Zhvillimet në sistemin bankar

Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Qershor 2014

Klikoni Bankieri.com për në Anglisht

Publikuar: 15/08/2014

Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Qershor 2014

AAB publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e dytë të vitit 2014, sipas të cilave sistemi bankar shqiptar vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe të ketë një ecuri të qëndrueshme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në nivelin 17.5 për qind nga 16.8 për qind, raportuar në të njëjtën periudhë një vit më parë. Në fund të qershorit, aktivet e sistemit bankar arritën në 1,253 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 4.1 për qind në krahasim me një vit më parë.

Depozitat e vendosura pranë bankave janë rritur me ritme të ulta por të qëndrueshme përgjatë tremujorëve të fundit duke shënuar një rritje vjetore prej 3.1 për qind në fund të qershorit. Zgjerimi i stokut të depozitave u mbështet kryesisht nga depozitat e bizneseve, të cilat vetëm përgjatë tremujorit të dytë 2014 u rritën me rreth 5.4 për qind.

Në ndryshim nga tremujorët e mëparshëm, teprica e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat në tremujorin e dytë 2014 paraqitet me rritje prej 4.5 miliardë lekë ose rreth 0.8 për qind. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori në total shënoi rreth 61.8 miliardë lekë dhe përbëhet në pjesën më të madhe (rreth 83 për qind) nga kredia e dhënë për biznese. Rritja e portofolit të kredisë erdhi plotësisht nga zgjerimi i kredisë në monedhën vendase, stoku i së cilës ishte rreth 1.9 për qind më i lartë në krahasim me marsin 2014. Gjithashtu, 45 për qind e kredisë së re është disbursuar në lekë, duke treguar një zhvendosje ndaj kredisë në lekë.

Kjo ecuri është mbështetur nga një kërkesë më e lartë e bizneseve për financim në lekë, në kushtet kur dhe normat e interesit për këtë kredi kanë qenë në rënie. Kredia për individë, edhe pse në rritje këtë tremujor pas disa tremujorësh që pësonte tkurrje, paraqitet në nivele të moderuara, duke konfirmuar një kërkesë të ulët të individëve për kredi pavarësisht produkteve atraktive të prezantuara nga bankat.

Kreditë me probleme vazhdojnë të mbeten në nivelin rreth 24 për qind, me luhatje shumë të vogla përgjatë gjashtëmujorit.

*Të dhënat për bankat që mungojnë do të azhornohen sapo të jenë përgatitur nga bankat përkatëse sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).

 

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.