Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Tremujori 3 – 2013

Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Tremujori 3 – 2013

Publikuar: 12/11/2013

AAB publikon në website të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e tretë të vitit 2013, dhe të dhëna të agreguara për sistemin në Shtator 2013, sipas të cilave sistemi bankar Shqiptar vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar, i qëndrueshëm dhe likuid, ndërkohë që rezultati financiar paraqitet në rënie.

Aktivet e sistemit bankar u rritën përgjatë tremujorit me rreth 31 milion lekë ose 2.6 për qind duke arritur në 1,235 miliardë lekë në fund të shtatorit, me një rritje vjetore prej 4.7 për qind.

Depozitat kanë vijuar të rriten, ndonëse me ritme shumë më të ulëta se një vit më parë. Kështu, në fund të shtatorit 2013, totali i depozitave arriti në 1,027 miliardë lekë dhe shënoi një rritje vjetore prej 3.3 për qind, në krahasim me rritjen vjetore prej 10.6 për qind në shtator të vitit 2012. Në ndryshim nga një vit më parë, kjo rritje është mbështetur pothuajse plotësisht nga rritja e depozitave të bizneseve, në përgjigje të aktivitetit ekonomik.

Teprica e kredisë për sektorin privat këtë tremujor paraqitet në rënie, si për individët ashtu edhe për bizneset. Kjo tregon se zhvillimet në kredi janë përcaktuar nga niveli më i lartë i shlyerjeve krahasuar me kredinë e disbursuar gjatë këtij tremujori.

Megjithatë, bankat kanë vijuar të financojnë sektorin privat me një total prej rreth 55.3 miliardë lekësh vetëm përgjatë tremujorit të tretë. Kjo kredi ka shkuar në pjesën më të madhe për bizneset (në masën prej 83 për qind), rreth 70 për qind të së cilës bizneset e kanë përdorur për të mbuluar nevojat për financim likuiditeti afatshkurtër. Ndërkohë, kredia e re dhënë individëve është përdorur në mënyrë pothuajse të barabartë mes financimit të pronave të paluajtshme dhe të konsumit.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e kredidhënies kanë qenë ulja e kërkesës për kredi, si nga individët ashtu edhe nga bizneset, si dhe shtrëngimi i kushteve të kredidhënies nga bankat, si pasojë edhe i rritjes së kredive me probleme.

Kreditë me probleme kanë vijuar të rriten gjatë tremujorit të tretë 2013, duke arritur në 24.2 për qind të totalit të kredive në fund të muajit shtator. Referuar një studimi të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar1, Shqipëria radhitet e para ndër vendet e rajonit të  Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, me nivelin më të lartë të kredive me probleme, e ndjekur nga Rumania me 20.3 për qind. Me gjithë vështirësitë e krahasimit, rrjedhojë e ndryshimeve metodologjike midis vendeve në përpilimin e këtij treguesi, Shqipëria mbetet një nga vendet me rritjen më të lartë vjetore të këtij treguesi, përgjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar; raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 17.8 për qind në muajin shtator, ndjeshëm më i lartë se 15.9 për qind në fund të shtatorit 2012 apo 16.2 për qind në fund të vitit 2012.

Burimi: Shoqata e bankave

1 Trackback / Pingback

  1. Analize e të dhënave fianciare të Bankave, Nëntor 2013,

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.