Shqiptarët preferojnë internetin, ‘boom’ blerjesh online, 400 pako në ditë

Shqiptarët preferojnë internetin, ‘boom’ blerjesh online, 400 pako në ditë

Burimi: Balkanweb.com

TIRANE – Jeta e tejmbushur me aktivitet duket se po i orienton shqiptarët gjithmonë e më tepër drejt blerjeve online. Kursimi i kohës, por jo vetëm kanë rritur shifrat e produkteve të blera në internet, ndërsa më të preferuarat janë pajisjet elektronike dhe veshjet. Gjithçka konfirmohet edhe nga Elma Feçi, drejtore e filialit të Postës në Tiranë. Sipas saj, këtë vit kemi një rritje me 42 për qind të blerjeve online, ndërsa në një ditë dorëzohen rreth 400 pako të mbërritura. Në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Feçi tregon tendencat më të fundit, ndërsa shprehet se pasiguria për mbërritjen e një pakoje nga jashtë tashmë nuk ekziston.
Znj. Feçi, duket se shqiptarët gjithmonë e më tepër po orientohen drejt blerjeve online. A konfirmohet kjo nga të dhënat që ju keni?
Posta Shqiptare, si kompani lider në tregun e shërbimeve postare punon me përkushtim për shtimin dhe përmirësimin e tyre vazhdimisht. Ajo është bërë ura e komunikimit për blerjet online që realizojnë qytetarët dhe duke ofruar dorëzimin e objekteve postare si paketa, koli etj. me siguri maksimale. Shërbimi i dorëzimit të paketave dhe kolive realizohej vetëm në zyrën postare qendër. Por, ajo që dua të theksoj është se dy vitet e fundit vihet re një fluks i madh blerjesh online, i cili ka ardhur duke u rritur nga muaji në muaj, gjë e cila reflektohet edhe në sportelet e dorëzimit të paketave dhe kolive.
Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, sa mund të jenë rritur blerjet online?
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012, këtë vit volumi i paketave të mbërritura është rritur në 41% më shumë ose rreth 22 mijë paketa më shumës. Dorëzimi i objekteve postare në sportelet e postës është mesatarisht rreth 400 paketa e koli në ditë. Për të përballuar volumin e punës në shërbimin e dorëzimit të kolive dhe paketave dhe për t’u shërbyer klientëve sa më shpejt e në mënyrë cilësore, në Filialin e Postës Tiranë prej muajit qershor të këtij viti është hapur një zyrë e re postare, e cila kryen shërbimin e shpërndarjes së paketave dhe kolive në kushte shumë komode për klientët. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë ndjehen si qytetarë evropianë, ndërsa shërbimet që ne ofrojmë janë cilësore dhe bashkëkohore.
Cilat janë produktet më të shpeshta që blihen në internet nga shqiptarët?
Tregu i blerjeve online është kryesisht për artikuj elektronikë, veshje dhe libra.
Po sa u takon shteteve në të cilat realizohen këto blerje?
Blerjet online realizohen nga shtete si: SHBA, Hong-Kong, Kina, Korea, Angli, Franca, Singapori, Gjermania etj. Duhet thënë se ato zënë rreth 85% të volumit të përgjithshëm të paketave dhe kolive të mbërritura. Pjesa tjetër, pra 15% e objekteve, paketa e koli janë dërgesa të zakonshme postare të nisura nga individë të ndryshëm.
Ka ekzistuar ideja se jo të gjitha pakot e dërguara nga jashtë arrinin te klienti. Aktualisht, a duhet të shqetësohemi për këtë problem?
Jo. Në shërbim të klientëve si në zyrën postare qendër, ashtu edhe në zyrën postare 5/1 është instaluar një aparaturë elektronike, ku çdo klient që ka barkodin e një objekti rekomande, ka mundësi të marrë informacionin e duhur lidhur me statusin e objektit të tij. Informacioni për gjurmimin e objekteve postare kryhet online vetëm për objektet rekomande. Nga ana e klientëve ka pasur një vlerësim për Postën Shqiptare, për lehtësinë që u është ofruar, duke minimizuar radhët e pritjes në sportel si dhe për ambientin komod në të cilin operon kjo zyrë.

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.