Ja përse ju duhet të keni në portofol “të paktën”një kartë debiti

Ja përse ju duhet të keni në portofol “të paktën”një kartë debiti!
(Edhe nëse nuk dini asgjë mbi bankat)

Kartat e debitit, edhe pse shumë prej nesh i përdorin vetëm për të tërhequr pagën në ATM, ato mund të përdoren edhe në dyqane ose për të blerë në internet.  Perceptimi i përgjithshëm në Shqipëri është që këto karta përdoren vetëm lidhur me llogarinë e pagës dhe kryesisht punëdhënësi ose financat e kompanisë merret me këto gjera, si aplikimi në bankë, hapja e llogarisë etj, perdoruesi i kartës e shikon atë si një mjet të kompanisë.

Besoj që – së pari ky është një gabim i shumë institucioneve (përfshirë vetë bankën, institucionin punëdhënës, Bankën e Shqipërisë dhe vetë sistemin arsimor) për mos dhënien e informacionit të duhur dhe mos edukimin bankar, por kjo është temë e veçantë diskutimi. Së dyti një llogari bankare, dhe çdo produkt tjetër bankar është një produkt individual, dhe pronë e individit i cili aplikon dhe e përdor këtë produkt, jo e financierit / kompanisë që hap llogaritë në bankë. Pra nëse keni një kartë debitit (rrjedhimisht dhe një llogari) kjo nuk është tërësisht e lidhur me pagën tuaj. Nëse një ditë do gjeni një punë tjetër, ju nuk jeni të detyruar të mbyllni kartën e debitit dhe llogarinë në bankën egzistuese por mund ta mbyllni vetëm në rastet kur komisionet e mirëmbajtjes janë të larta (fatkeqsisht ka ende banka që kanë komisione të larta) ose nëse ju jeni të sigurt që do pajiseni me një kartë debiti tjetër. Por në shumicën e rasteve, njerëzit e mbyllin kartën në një bankë për të marrë pagën në një bankë tjetër.

Ajo që po mundohem të them, është që qëllimi kryesor i kartës së debitit nuk është vetëm “Marrje e pagës”. Të gjithë ne (sidomos aktorët që përmenda mësipër) duhet të rrisim dhe të nxisim përdorimet me kartë debiti në kategoritë / rastet që përmend më poshtë, pasi përdorimi edhe i llogarive bankare, rrjedhimisht kartave është ende i ulët në Shqipëri, ku madje ne nuk mund të krahasohemi as me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia etj.

debit-cardPengesa kryesore është ambjentimi me bankën, ku sipas mendimit tim ky institucion shqiptarëve ende  i duket si një institucion i huaj dhe shumë i rezikshëm ku të gjithë komisionet e rënda i mbahen klientit dhe sikur banka do të falminetojë nga momenti në moment (siç kanë pësuar në të kaluarën me piramidat). Banka në perceptimin e një shqiptari (flas nga vëzhgimet e mia personale)  duket sikur punon vetëm dhe vetëm për të pasur fitime të majme në kurriz të klientëve, nuk është aspak një institucion të cilit mund ti besohet, dhe në çdo rast tarifat janë në stratosferë. Normalisht kjo gjë po ndryshon, pasi ka edhe shumë klientë të mirë informuar, por Shqipëria ende po ecën me hapa të ngadaltë drejt një kulture të gjërë bankare.

Ky opinon i krijuar historikisht, tashmë për bankat në Shqipëri nuk është tërësisht i vërtetë, por ashtu siç nuk është edhe tërësisht i gabuar! Bankat kanë një sërë rregullash që i kontrollohen nga Banka e Shqipërisë si edhe transparenca me klientët është shumë herë më e lartë se në të kaluarën, duke bërë që të gjithë bankat të publikojnë tarifat e tyre në internet etj. Por nga ana tjetër disa prej bankave ende mund të kenë komisione të larta. Pavarsisht se në Shqipëri operojnë 16 të tilla, klientët shpesh herë nuk mundohen të kërkojnë një bankë alternative me komisione më të ulta për shumë arsye.

Kthehemi sërisht tek tema jonë: Ja përse ju duhet të keni në portofol (të paktën) një kartë debiti!
Së pari më lejoni tju informoj mbi komisionet minimale që kam përzgjedhur bankat e mëposhtme ku në të cilat aplikohen komision i ulët mujor, ose disa shërbime janë falas:
– Fibank (nuk ka komision mirëmbajtje të kartës së debitit, 50 Lek komision mujor të llogarisë)
– BKT (nuk ka komision mirëmbajtje të kartës së debitit,100 Lek komision mujor të llogarisë, falas për studentë dhe pensionistë)
– Alphabank(nuk ka komision mirëmbajtje të kartës së debitit,50-100Lek komision mujor të llogarisë, falas për studentë)
Mund të shtohen edhe banka të tjera, por këto tre banka kanë tarifat më të lira për mirëmbajtjen e llogarisë, ndërkohë për blerje në internet dhe për blerje jashtë shtetit Fibank është banka e cila nuk ka asnjë komision, dhe ju mund të blini mallin falas.

Në lidhje me “Përse ju nevojitet një kartë debiti” po ju shpjegoj shkurtimisht se çfarë mund të bëhet me paratë që keni në llogari përveç tërheqjes në bankomat:

1. Tërheqje nga degët e bankave, ose nga agjensi.
Në rastet kur ndodheni pranë degëve të bankës Procredit ose jashtë shtetit, nuk gjeni ATM mund të tërhiqni nga karta juaj duke u përdorur në pajisjen POS,* të sporteleve të bankës ose agjenisive të ndryshme që kanë logo VISA, Mestro etj.

2. Blerje në Dyqane.
Ju mund të përdorni kartën tuaj për të paguar për një palë këpucë ose xhinse, orë ose thjesht shpenzimet e ditës në supermarket. Në momentin që paguani me kartë fondet mbahen automatikisht nga llogaria juaj. Mos kini frikë, 90% e bankave në Shqipëri nuk do ju mbajë asnjë komision për përdorimin në dyqan të kartës suaj. Nëse përdoret në Dyqanet në Shqipëri, nëse kartën e përdorin për të blerë në internet ose në një dyqan jashtë shtetit paguani një komision të vogël sa 0,5 – 1% e shumës së transaksionit, përveç kartave Fibank të cilat janë falas për çdo përdorim në POS.

3. Blerje e mallrave online (blerje nga interenti)
Blerjet nga interenti tashmë janë shumë të thjeshta dhe çdo person që ka një kartë debiti mund të blejë në internet. Përveç se kjo temë do trajtohet sërisht në një artikull të veçantë më me detaje, këtu mund të gjeni një guidë me video për mënyrën se si blihet në ebay, që është padyshim një faqe globale e shitblerjeve online.

4. Shitje e mallrave online (kjo është e re dhe besoj pak e dinë!)
Duke u rregjistruar në adresa ndërmjetëse siç është PayPal, ju mund të shisni mallra / shërbime online, dhe mundet që të tjerë nëpërmjet kartave të debiti / krediti të tjera ju paguajnë në kartën tuaj të debitit. Këto veprime ju pasqyrohen në llogarinë tuaj por janë me shenjën + kreditore, pra nuk zbriten nga llogaria juaj por shtohen. Në këtë mënyrë ju arrini të shisni mallra në internet dhe të përfitoni fondet nëpërmjet kartës së debitit.
Kjo gjë nuk duhet të ngatërrohet me shërbimin e-commerce që ofrojnë bankat. E-commerce është një shërbim që i ofrohet më tepër kompanive të mëdha, të rregjistruara në QKR e-tj. Shitja e mallrave me pakicë që përmend në këtë paragraf është vetëm për individë.

Disa arsye për të cilat ju duhet të mbani një kartë debiti në portofol, po i rendis si më poshtë:

1. Edukimi financiar
Nëse ju duket tepër vonë për veten mendoni për femijët tuaj. Nëse ju merrni një kartë debiti për fëmijët tuaj (mbi 16 vjeç) ose me një kartë të lidhur me llogarinë tuaj dhe ja jepni për përdorim kjo është një mësim i parë i tij përsa i përket financave dhe buxhetit. Ju mund ti kaloni një shumë mujore për shpenzime dhe më pas e mësoni se si mund të përdorë kartën e debitit. Në këtë mënyrë ju aktualisht mësoni fëmijën tuaj jo vetëm si të përdorë  produktet e bankës por edhe  si të menaxhojë buxhetin e tij në të ardhmen.

2. Kursim / Menaxhim i buxhetit
Faktikisht, çdo ditë e më shumë persona marrin një kartë debiti për lidhur kursimet e tyre me llogari në bankë dhe e menaxhojnë atë rregullisht gjatë muajit. Për shembull, në kartën e lidhur me pagën personi nuk është i detyruar të mbajë të gjithë pagën në portofol (ose në shtëpi) duke evituar edhe vjedhje /humbje te mundëshme. Persona të cilët mundohen të kursejnë zakonisht zgjedhin të tërheqin një shumë të caktuar çdo javë, dhe duke parë balancën në ATM zgjedhin të kursejnë një pjesë të mirë. Së bashku edhe me lëvizjen e llogarisë karta e debitit ofron një faturë të detajuar të shpenzimeve mujore, kur dhe ku tërhiqni fondet, ose në cilët dyqane blini. Në këtë mënyrë duke pasur një pasqyrë të plotë të shpenzimeve familiare mund të menaxhohet më lehtë buxheti mujor.

3. Transfertë (midis personave)
Nëse do kishit rastin të udhëtoni jashtë shtetit, ose të dërgonit fëmijën tuaj me studime jashtë Shqipërisë, do ju duhet të merrni me vete ose në rastin e fëmijës tuaj ti dërgonit një shumë mujore të hollash. Nëpërmjet kartës së debitit ju mund të tërhiqni para në çdo bankomat jashtë shtetit pa qenë nevoja për të kryer transferta të lodhshme bankare. Fëmijës suaj mund ti depozitoni në llogari para në bankën ku ai ka kartën dhe me njëherë ai /ajo mund ti tërheq këto në shtetin ku ndodhet. Evitoni komisione të larta transfertash, si edhe komoditet pasi jashtë shtetit mjafton të tërhiqni cash ose të blini në dyqan, pra nuk është e nevojshme të shkoni në ndonjë bankë për të marrë transfertën.

4. Emergjencë
Pasja e një karte debiti ju siguron në emergjenca parash shumën që ju keni në llogari në çdo moment. Nëse ndodheni në një moment ku ju duhen paratë shpejt, mjafton të gjeni bankomatin më të afërt dhe ju mbaroni punë. Ka plot njerëz të cilët mbajnë kartën e debitit si një mjet kursimi, por edhe në rast emergjence mund të përdorin këto kursime.

5. Lehtësi
Nëse kartën e debitit e imagjinoni si një portofol ku mbani paratë atëherë krahasuar me një portofol të vërtetë karta e debitit ka këto avantazhe:
– Përdorim në 7 ditë të javës 24 orë,
– Kur ju humbet karta, nuk humbasin paratë
– Nuk ka limite maksimale, (ndërkohë që nuk mund të nxini në portofol)
– Nuk dëmtohen kartmonedhat, ato ofrohen nga banka (nëpërmjet bankomateve).
– Keni lëvizjen e të gjithë veprimeve, gjatë gjithë muajit, vitit etj.

Të mbajturit një kartë debiti në xhep ka shumë avantazhe të tjera të cilat nuk mund të renditen të gjitha në një artikull. Në përgjigje të këtij artikulli them që shumë nga ju mund të shtojnë edhe avantazhe ose mendime të tjera mbi kartat e debitit, por një gjë është e sigurtë, që sidomos në Shqipëri, do ndikonte shumë pozitivisht dhe do ndihmonte në rimëkëmbjen ekonomike një rritje e mirë e numrit të përdoruesve të kartave.

Për më tepër informacion mbi bankat në përgjithësi vazhdoni të lexoni bankieret.com

Bankierët  – Janar 2014 –

 

 

*Pajisja POS (Point of Sale) nënkupton një pajisje shitje e cila pranon kartën tuaj, si mënyrë pagese për mallrat/shërbimet që ju blini në atë dyqan. Me raste shitësi, përdoruesit mund tju ofroj edhe tërheqje të fondeve, përveç shitjes / ofrimit të shërbimeve 

 

2 Comments

1 Trackback / Pingback

  1. I paemër

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.