BSH: Fullani në mbledhje me FMN dhe Bankën botërore

Fullani në mbledhje me FMN dhe Bankën botërore

Njoftimi për shtyp nga BSH.

Mbi veprimtaritë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

DATA E PUBLIKIMIT 22.10.2013

Në datat 10-13 tetor 2013, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.

.photo fmn.

Mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore shërbejnë si një forum ku pjesëmarrësit diskutojnë mbi zhvillimet më të fundit në ekonomitë botërore, si dhe politikat që duhet të ndiqen për të garantuar rritje ekonomike dhe për të shmangur krizat ndërkombëtare. Këtë vit të pranishmit në këto takime i kushtuan një vëmendje të veçantë situatës ekonomike në SHBA, duke vënë në dukje rëndësinë e zgjidhjes së situatës së borxhit publik në SHBA, si dhe masave që duhen ndërmarrë për të rritur punësimin në vendet në zhvillim. Gjatë qëndrimit në Uashington DC, Guvernatori Fullani zhvilloi takime të rëndësishme ku veçojmë takimet me: zj. Nemat Shafik, Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar; zj. Laura Tuck, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, z. Andrea Montanino, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN; z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore; z. Reza Moghadam, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN; z. Joze Vinals, Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale në FMN; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB; z. Nadeem Ilahi shef i misionit të FMN për Shqipërinë, si dhe me z. Per Jansson, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Suedisë.

Në takimet e zhvilluara me personalitetet e mësipërme, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në ekonominë shqiptare dhe në sektorin bankar, si dhe perspektivat për të ardhmen. Guvernatori u ndal gjatë në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe të mbikëqyrjes bankare, për të garantuar stabilitetin makrofinanciar të vendit dhe për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme e afatgjatë. Në këtë kuadër, një rëndësi e veçantë iu kushtua paketës së masave makroprudenciale dhe akteve të tjera ligjore të iniciuara nga Banka e Shqipërisë, për nxitjen e nivelit të kreditimit dhe uljen e kredive me probleme. Gjatë takimeve të këtij viti në qendër të diskutimeve ishte dhe politika fiskale dhe hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen, për ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm të borxhit publik.

Gjatë qëndrimit në Uashington u zhvillua dhe mbledhja e Komitetit Drejtues të Nismës së Vjena II, ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e këtij komiteti. Si anëtar i Komitetit Drejtues, Guvernatori Fullani njohu të pranishmit me rezultatet e takimit teknik për nxitjen e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Nismës së Vjenës II, zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë.

Së shpejti në Bruksel do të zhvillohet forumi i Nismës së Vjena II, ku Shqipëria është i vetmi vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian, që ka anëtarësi në Komitetin Drejtues të Nismës së Vjenës. Në këto kushte ajo është angazhuar të përfaqësojë në këtë nismë edhe interesat e vendeve  të tjera joanëtare me shtrirje gjeografike në Evropën Qendrore dhe veçanërisht në atë Juglindore.

Gjithashtu, Guvernatori Fullani ishte i pranishëm si panelist dhe folës në Takimin e Nivelit të Lartë të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare. Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Bankës Evropiane të Investimeve, z. Werner Hoyer, dhe drejtuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, z. Suma Chakrarbati. Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi rëndësinë e vazhdimit të financimit të ekonomive të Evropës Lindore nga sistemi bankar dhe tregjet financiare ndërkombëtare. Ai shprehu shqetësimin e tij për politikat e grupeve bankare ndërkombëtare, të cilat kanë ulur gatishmërinë e investimit në ekonomitë e rajonit, duke theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë midis politikëbërësve dhe rregullatorëve evropianë e lokalë do të prodhonte zgjidhje më të mira për të gjitha palët e interesuara.

 

BURIMI: BSH

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.